Udhëheqësit e botës bashkohen për iniciativën e re që të ofrojnë arsimim dhe trajnim cilësor për të rinjtë

Udhëheqësit botërorë do ta lansojnë një partneritet të ri për ta përfshirë çdo të ri në arsimim cilësor, trajnim ose punësim deri në vitin 2030, javën e ardhshme në seancën e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Generation Unlimited do të trajtojë krizën botërore të arsimit dhe trajnimit që aktualisht është duke i zbrapsur miliona të rinj dhe duke e kërcënuar përparimin dhe stabilitetin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres ; Presidenti i Ruandës Paul Kagame ; Presidenti i Grupit të Bankës Botërore Jim Yong Kim , Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Bashkimi Evropian, Znj. Federica Mogherini ; Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Henrietta Fore ; Emisarja për Rini e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Jayathma Wickramanayake ; Shefi Ekzekutiv i Unilever, Paul Polman ; Ambasadori i Vullnetit të Mirë i UNICEF-it Lilly Singh ; dhe grupi botëror i muzikës pop BTS janë në mesin e udhëheqësve botërorë, të biznesit, të arsimit dhe rinisë që qëndrojnë prapa Generation Unlimited, të cilët do të bashkohen në një ngjarje të nivelit të lartë të hënën më 24 shtator në ora 12.00 në selinë e Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju Jorkut për ta lansuar partneritetin.

Pa investime urgjente në arsim dhe trajnim të shkathtësive, popullsia botërore me rritje të shpejtë e adoleshentëve dhe të rinjve – e cila do të arrijë në 2 miliardë deri në vitin 2030 – do të vazhdojë të jetë e papërgatitur dhe e paaftë për fuqinë e ardhshme punëtore. Dhe me më shumë se 200 milionë të rinj të moshës shkollore të mesme të ulët dhe të mesme të lartë që aktualisht mungojnë në shkolla, në vend që të kontribuojnë në një progres të barabartë, të rinjtë – sidomos ata më të cenuarit – mund të përballen me një të ardhme të mohimit dhe diskriminimit  të shumëfishtë.

Generation Unlimited – që është pjesë e Strategjisë 2030 për të rinjtë  të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara – do të plotësojë dhe do të mbështesë programet ekzistuese që i mbështesin adoleshentët dhe të rinjtë. Platforma e partneritetit do të përqendrohet në tri fusha kryesore: arsimimi i moshës së shkollimit të mesëm; aftësitë për mësimnxënie, punësimi dhe puna e denjë; dhe fuqizimi.Një Sfidë e të Rinjve që po zhvillohet në 16 vende të botës këtë vit bën thirrje për aplikime nga të rinjtë për të krijuar zgjidhje që do t’i mbështesin të trija shtyllat kryesore të Generation Unlimited .

“Të gjitha shpresat tona për një botë më të mirë mbështeten në të rinjtë “, tha  Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres . ” Bota është shtëpi e gjeneratës më të madhe të të rinjve që ka pasur ndonjëherë – 1.8 miliardë. Zhvillimi i qëndrueshëm, të drejtat e njeriut, paqja dhe siguria mund të arrihen vetëm nëse i fuqizojmë këta të rinj si udhëheqës dhe u mundësojmë atyre që ta çlirojnë dhe shprehin potencialin e tyre të plotë.”

“Roli juaj fillon duke na kujtuar se ajo që është arritur, pa marrë parasysh sa domethënëse dhe e vështirë ka qenë, ende nuk është e mjaftueshme. Ne ende duhet të synojmë për më shumë dhe të shkojmë më larg. Ajo që nevojitet është zbatim i qëndrueshëm e i vëmendshëm. Ne gjithashtu duhet të përfitojmë nga gjërat që mund të bëjmë shpejt, që kërkojnë vetëm vullnet politik. Çfarëdo që ne si afrikanë duam për kontinentin tonë, ne do të duhet të luftojmë për të. Prosperiteti i Afrikës do të arrihet me punë dhe përkushtim të palodhshëm. Të rinjtë afrikanë, kanë në dorë të ardhmen tonë kolektive, përmes teknologjisë, sipërmarrjes dhe mbi të gjitha, edhe dinjitetin tonë, ” tha Presidenti i Ruandës Paul Kagame .

“Kur investojmë në rininë tonë, ne u japim atyre mundësi të barabarta, një shans që ata t’i arrijnë qëllimet e tyre dhe një të ardhme më të mirë ekonomike”, tha Presidenti i Bankës Botërore , Jim Yong Kim . “Nëse vendet i japin përparësi investimeve në kapitalin njerëzor, ato mund ta transformojnë të ardhmen e ekonomive, familjeve dhe miliona të rinjve, ëndrrat e të cilëve mund të realizohen nga vullnetit i tyre për t’i arritur ato.”

“Le ta realizojmë këtë: sigurohuni që çdo vajzë e re dhe djalë i ri të gjejë vendin e vet në shoqëri – përmes arsimimit, trajnimit ose përmes një pune të mirë – deri në vitin 2030. Kjo është Generation Unlimited dhe unë jam krenar që BE është pjesë e saj me UNICEF-in,” u shpreh Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, nga Bashkimi Evropian, Znj. Federica Mogherini.

“Ndryshimi në demografi që bota po e përjeton, së bashku me përparimet e shpejta në teknologji, paraqet një moment vendimtar në histori. Nëse veprojmë me mençuri dhe urgjentisht, mund të krijojmë një grup të shkathët të të rinjve më mirë të përgatitur për të krijuar ekonomi të qëndrueshme dhe shoqëri paqësore dhe të begatë. Të rinjtë mund të përfaqësojnë 25 për qind të popullsisë globale, por ata janë 100 për qind e ardhmja. Ne nuk mund të lejojmë që t’i zhgënjejmë ata “, tha Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore.

“Me Strategjinë e OKB-së për Rini që ofron një ombrellë për punën e OKB-së me dhe për të rinjtë, një nga veprimet e para të reja është lansimi i partneritetit Generation Unlimited. Unë jam e ngazëllyer për të parë se si do të përhapet partneriteti Generation Unlimited si një mjet për ta zbatuar strategjinë e gjerë të sistemit të OKB-së për të rinjtë “, tha e dërguara e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Rininë, Jayathma Wickramanayake .

“Sot e kemi gjeneratën më të madhe të të rinjve në histori – një forcë e jashtëzakonshme për ndryshim. 84 për qind e e të rinjve të shekullit 21 janë të bindur se e kanë për detyrë që ta bëjnë botën një vend më të mirë, dhe shumë prej tyre tashmë janë duke e bërë këtë. Nëpërmjet Generation Unlimited, ne synojmë të sigurojmë që asnjë i ri të mos mbetet prapa, duke ndihmuar në fuqizimin e tyre në mënyrë që ata të mund të krijojnë një të ardhme të ndritur për veten dhe gjeneratat që do të vijnë “, tha Paul Polman, shef ekzekutiv i Unilever.

“E kam parë vetë se të dëgjuarit dhe të mësuarit nga të rinjtë është një nga mënyrat më të mira për të bashkëpunuar në zgjidhjet kreative dhe për t’i adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen ata. Kur fuqizohen për t’i shfaqur mendimet tyre, ata kanë shumë ide inovative dhe kreative. Unë jam e frymëzuar pafund nga ky brez dhe jam e përkushtuar për të bërë atë që mundem për t’i ndihmuar ata që ta arrijnë një të ardhme më të ndritur “, tha ambasadorja e vullnetit të mirë e UNICEF-it, Lilly Singh.

“Në fushatën tonë LOVE MYSELF (E DUA VETEN), ne flasim për kuptimin e dashurisë së vërtetë. Ne inkurajojmë çdo të ri të gjejë dashurinë brenda vetes dhe ta përhapë atë dashuri tek të tjerët. Ne mendojmë se mbështetja reciproke nga të rinjtë për njëri-tjetrin është hapi i parë për ta shfaqur atë dashuri “, thanë mbështetësit global të UNICEF-it, grupi muzikor BTS.